`Prizren Fest 2025` përmbyllet me emocione dhe atmosferë të jashtëzakonshme
BKT
Kulturë

`Prizren Fest 2025` përmbyllet me emocione dhe atmosferë të jashtëzakonshme

Rabije Kryeziu RTK

Edhe një herë, qyteti i Prizrenit dëshmoi se është vatër e artit dhe kulturës. Edicioni i katërt i ‘Prizren Fest’ u përmbyll me një mbrëmje të mbushur me emocione, reflektim dhe solidaritet, pavarësisht kushteve atmosferike që detyruan zhvendosjen e ceremonisë nga Teatri mbi Lum në sallën e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”. Salla ishte e tejmbushur, një dëshmi e dashurisë së qytetarëve për artin e bukur dhe të vërtetën e fuqishme që ai përcjell.

Mbrëmja filloi me shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, një shfaqje pa tekst nga teatri “Ashtar” në Ramallah – Palestinë. Përmes veprimit fizik dhe muzikës origjinale, shfaqja solli një rrëfim prekës për kolonializmin, pushtimin dhe dëbimin. Historia e një burri refugjat që përpiqet të zërë shtëpinë e një gruaje në tokën e saj u bë një metaforë vizuale e tragjedisë shumëvjeçare palestineze.

Më tej, ‘Prizren Fest’ vazhdoi me “The Gaza Monologues” – zëri i të rinjve nga Gaza. Një projekt i lindur nga dhimbja dhe shpresa e të rinjve palestinezë, monologët sollën histori personale të mbijetesës, humbjes dhe forcës shpirtërore. Kjo shfaqje në ‘Prizren Fest’ u realizua në bashkëpunim me aktorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria – rrëfime që, me fuqinë e tyre emocionale, na kthejnë në kohë, në përjetime jo të largëta të popullit tonë.

‘Prizren Fest 2025’ dëshmoi edhe një herë se arti ka fuqinë për të ndriçuar edhe momentet më të errëta – nga drama pa fjalë deri te rrëfime të dhimbshme e të vërteta.


MË SHUME NGA Kulturë