KQZ thirrje mërgatës të regjistrohen si votues për zgjedhjet e tetorit
BKT
Lajme

KQZ thirrje mërgatës të regjistrohen si votues për zgjedhjet e tetorit

V.S/RTKlive

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka ftuar mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, afat ky që do të zgjasë deri më 29 të muajit gusht.

Ai përmes një videomesazhi iu është adresuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për procesin zgjedhor në nivel lokal.

“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, thuhet në mesazhin informues të kryesuesit të KQZ-së.

Ai si drejtues i institucionit që i organizon zgjedhjet, ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor.

“Pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”, thotë Radoniqi në videomesazhin drejtuar shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë.

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 23 korrik dhe do të përfundojë, sot një muaj, më 29 gusht.

“Vetëm shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025”, thotë KQZ-ja.

Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj procesi zgjedhor.


MË SHUME NGA Lajme