Nesër nis edicioni i 11-të i festivalit të artit në hapësirë publike ‘Hapu’
K. K. / RTKlive
Festivali “Hapu”, që promovon artin në hapësirat publike, nis nesër edicionin e tij të njëmbëdhjetë në Prishtinë dhe Gjakovë. Koordinatorja e programit, Renea Begolli, në një intervistë për “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se këtë vit festivali sjell një program të pasur me artistë nga Franca, Gjermania dhe Portugalia.
Begolli tha se synimi i festivalit është të shfrytëzojë hapësirat publike për të sjellë performanca dhe vepra të ndryshme artistike, duke krijuar një lidhje të re mes qytetarëve dhe mjedisit urban.
“Ne jemi gjatë gjithë kohës prezent në hapësira publike, është pjesë e përditshmërisë tonë. Përmes këtyre performancave mundohemi të kuptojmë më mirë qytetin dhe vendet që i kalojmë çdo ditë. Ideja është të integrojmë hapësirën publike për njerëzit dhe publikun në mënyra të ndryshme”, tha ndër të tjera ajo.
Po ashtu ajo tregoi se programi i këtij viti do të shtrihet në dy qytete:
Në Gjakovë, festivali do të bashkëdyzohet me “Ditët e Shqiptarit”, që zhvillohet gjatë katër fundjavëve. Performancat e “Hapu”-t do të prezantohen më 1 dhe 2 gusht. Ndërkaq në Prishtinë, aktivitetet vazhdojnë më 2, 3, 4 dhe 5 gusht, me performanca dhe instalacione të ndryshme.























