Dua Lipa merr nënshtetësinë e Kosovës
N.M. /RTKlive
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim këngëtaren shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
“Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja ka shtuar se kjo mirënjohje është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, ‘për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë’.
Përndryshe të premten, 1 gusht, fillon festivali i muzikës, “Sunny Hill” që e vendosë Prishtinën në hartën e ngjarjeve të mëdha muzikore.























