Takohen Barduani e Baker, temë edhe dialogu
V.S|RTKlive
Komandanti i misionit KFOR-it, Enrico Barduani ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për politikën evropiane dhe të NATO-s, David Baker, takim i cili u zhvillua në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
“Takimi ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi rrugën përpara për të mbështetur më së miri një angazhim të ripërtërirë politik për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Tutje bëhet e ditur se zyrtari i lartë amerikan ka riafirmuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë.
“Baker riafirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thotë KFOR-i
Ky mision paqeruajtës ka përsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në fund të njoftimit që KFOR-i ka shpërndarë për takimin që ka pasur komandanti i këtij misioni me zyrtarin e lartë amerikan, Baker.
Ndërkohë, më vonë . Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për politikën evropiane dhe të NATO-s, David Baker do të zhvillojë takime me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani e ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.























