Sot do të përurohet libri `Njerëz` i autorit Driton Gashi
K. K. / RTKlive
Sot do të përurohet libri publicistik “Njerëz” i autorit Driton Gashi, i cili, në një intervistë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tregoi rrugëtimin e krijimit të këtij vëllimi. Ai tha se përgatitjet i nisi para tri vjetësh, fillimisht me disa personalitete të njohura, por me kalimin e kohës libri mori dinamikë dhe motivimi u rrit, duke shtuar numrin e intervistave dhe përfshirjen e personaliteteve të ndryshme.
“Gjatë punës me shumë njerëz ata më propozonin figura të ndryshme për intervistim, përfshirë edhe personalitete që nuk janë shumë të njohur për publikun, por që kanë bërë punë të madhe dhe kanë zgjedhur të mbeten në heshtje”, tha Gashi.
Ai theksoi se përzgjedhja e personave ishte sfida më e madhe në këtë libër, duke theksuar: “Unë jam një njeri që dua t’i përfshij të gjithë, por kjo nuk është e mundur. Kam zgjedhur një numër përfaqësues, për shembull 10-15 arsimtarë, që përfaqësojnë të gjithë arsimtarët, tetë ish-të burgosur politikë që flasin në emër të të gjithë atyre, një mjek, një juriste dhe kështu me radhë”.
Libri përmban gjithsej 57 intervista, ndërsa Gashi tregoi se nuk ka mundur të përfshijë më shumë për shkak të volumit të madh të librit.
“Kam shumë njerëz të tjerë që i njoh dhe kanë bërë shumë, por nuk janë në libër”, shtoi ai, duke nënvizuar parimin që ka pasur gjatë përzgjedhjes: “Për mua njerëzit duhet të jenë të barabartë, pavarësisht nëse janë politikanë të njohur apo jo, apo nëse kanë poste apo karriera të larta”.
Në libër janë përfshirë edhe figura shumë të njohura si Nënë Tereza, me Don Lush Gjergjin që rrëfen takimet e tij të para me të, Ukshin Hoti, zhytësi i njohur Ismail Kasumi dhe Nuhi Bytytçi, me intervistë të zhvilluar në Prekaz.























