Deliu-Kodra: Gjykata Kushtetuese dha verdiktin që e prisnim
E.Hoti/RTKlive
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e votimit për Kryetarin e Kuvendit.
Ajo ka deklaruar se verdikti i Gjykatës konfirmon shkeljet e bëra nga Qeveria Kurti dhe se PDK ka pasur të drejtë gjatë gjithë kohës.
“Gjykata Kushtetuese dha verdiktin që e prisnim! Kishim të drejtë tërë kohën”, ka shkruar Deliu-Kodra në një postim në Facebook.
Ajo akuzoi qeverinë në detyrë dhe shefin e grupit parlamentar të LVV-së, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës që nga 1 maji, duke imponuar një procedurë të votimit të fshehtë dhe duke mohuar të drejtën e deputetëve për votim të hapur për Kryetarin e Kuvendit.
“Ky është një dështim i rëndë institucional dhe mungesë totale respekti ndaj ligjit dhe demokracisë. Kosova meriton udhëheqje me përgjegjësi dhe respekt për Kushtetutën, jo shkelje të qëllimshme e të përsëritura”, theksoi ajo.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit me votim të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh. Vendimi gjithashtu përcakton që i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tre herë, dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.























