Krasniqi: Fitore për Kushtetutën, humbje për Vetëvendosjen
BKT
Lajme

Krasniqi: Fitore për Kushtetutën, humbje për Vetëvendosjen

V.Th / RTKLive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 7 gusht 2025, duke e cilësuar atë si një fitore për Kushtetutën, Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e tij, Krasniqi theksoi se aktgjykimi i Gjykatës konfirmon të gjitha paralajmërimet e PDK-së për bllokadën institucionale të shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai theksoi se Kushtetuesja shpalli të pavlefshme veprimet parlamentare nga data 27 qershor deri më 26 korrik, duke konstatuar se: Deputetët nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit; Kryesuesi i seancës veproi në mënyrë antikushtetuese; Komisioni për Votim të Fshehtë ishte i jashtëligjshëm.

“Për muaj me radhë, si Parti Demokratike e Kosovës, kemi paralajmëruar me zë të lartë se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng Kuvendin për interesa të ngushta pushteti. Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën’, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, për gjashtë muaj me radhë, qytetarëve u është mohuar përfaqësimi dhe vendit i është imponuar stagnimi politik dhe institucional. Ai theksoi se PDK ka zgjedhur rrugën e ligjshmërisë dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta zgjidhur këtë krizë.

“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Ky është një mësim për të gjithë: askush nuk është mbi Kushtetutën,” shtoi ai.

Memli Krasniqi e përmbylli deklaratën duke thënë se vendimi i sotëm është një fitore për demokracinë dhe një dështim për ata që zgjodhën krizën. “Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam,” përfundoi ai.


MË SHUME NGA Lajme