Tahiri: Kriza në RTK është e papranueshme
V.Th / RTKLive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësim për krizën financiare që po kalon Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke e quajtur situatën të papranueshme.
“Në asnjë rast në të kaluarën, pavarësisht kush ka qenë në qeveri, nuk kemi pasur një situatë të tillë. Gjithmonë është treguar kujdes maksimal që punëtorët e RTK-së të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës,” tha Tahiri në një konferencë për media.
Ai shtoi se sapo të konstituohet Kuvendi i ri dhe të zgjidhen organet e tij, PDK do të mbështesë çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që kriza të mos thellohet më tej.
“Kriza do të prekë çdo familje të secilit gazetar dhe punëtor të RTK-së, dhe aq më shumë në kushtet e një krize të përgjithshme në vend. Mohimi i pagave për punëtorët është i papranueshëm dhe ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm që RTK të dalë nga kjo situatë,” përfundoi Tahiri.























