FAO mban trajnim pesëditor në Parkun e Blinajës për menaxhimin e zjarreve
BKT
Lajme

FAO mban trajnim pesëditor në Parkun e Blinajës për menaxhimin e zjarreve

E.Hoti/RTKlive

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) është duke zhvilluar një trajnim pesëditor në Parkun e Blinajë, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve dhe komunitetit lokal për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje.

Ky trajnim është pjesë e projektit për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve me fokus në ndikimet e ndryshimeve klimatike, i cili është duke u zbatuar nga FAO, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, Ergin Hajredinaj, zyrtar i FAO-s, theksoi se fokusi kryesor i programit është fuqizimi i kapaciteteve vendore për menaxhimin e integruar të zjarreve në pyje, me synim përgatitjen afatgjatë të institucioneve vendore.

 “30 zyrtarë nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës janë duke u trajnuar intensivisht në menaxhimin e integruar të zjarreve, por gjithashtu kemi identifikuar dhe trajnuar rreth 200 vullnetarë nga komunitetet në zona të ndryshme të Kosovës. Këta vullnetarë do të jenë në vijën e parë të reagimit për parandalim dhe ndërhyrje të hershme”, u shpreh Hajredinaj në RTK.

Ai shtoi se edhe pse njësitë profesionale të zjarrfikësve janë të angazhuara në raste të mëdha, ato përballen me mungesë pajisjesh dhe personel. Prandaj, theksoi se është thelbësore që gjithë shoqëria, përfshirë qytetarët dhe institucionet, të jenë të përgatitur dhe të angazhuar për mbrojtjen e resurseve natyrore.

Sipas Hajredinajt, shkaktari kryesor i zjarreve në pyje është faktori njeri, përfshirë pakujdesinë gjatë piknikëve, si dhe djegia e hamullorëve në bujqësi. Ai apeloi për ndërgjegjësim të opinionit publik lidhur me dëmet që shkaktojnë zjarret.


MË SHUME NGA Lajme