Von der Leyen: Procesi i zgjerimit të BE-së duhet të ruhet
Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, porositi se momentumi në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të ruhet, sepse vetëm një Evropë e bashkuar mund të jetë e pavarur dhe e sigurt.
“Duhet të vazhdojmë me shpejtësinë e këtij procesi të bazuar në merita. Sepse vetëm një Evropë e bashkuar – dhe e ribashkuar – mund të jetë një Evropë e pavarur. Një Bashkim më i madh dhe më i fortë është një garanci sigurie për të gjithë ne. Dhe sepse për Ukrainën, për Moldavinë, për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e tyre është në Bashkimin tonë. Le ta bëjmë të ndodhë ribashkimi i ardhshëm i Evropës”, tha Der Leyen
Fjalimi vjetor i saj, i quajtur “Gjendja e Unionit”, është momenti më i rëndësishëm i vitit, ku paraqiten prioritetet për vitin në vijim, por edhe sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian.
Në këtë kontekst, Von der Leyen paralajmëroi një rregullore të re për përdorimin e mediave sociale nga të miturit, duke theksuar se varësia e fëmijëve ndaj tyre përbën një “cunami të Teknologjisë së Madhe” që, sipas saj, po përmbyt familjet.
Ajo gjithashtu konfirmoi krijimin e një programi të ri për mbështetjen e gazetarisë së pavarur dhe rritjen e ndjeshme të financimit për mediat, si dhe një mekanizëm për luftimin e dezinformatave, si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet fqinje.
“Dhe kur mediat e pavarura shpërbëhen ose neutralizohen, aftësia jonë për të monitoruar korrupsionin dhe për të ruajtur demokracinë dobësohet rëndë. Kjo është arsyeja pse hapi i parë në manualin e një autokrati është gjithmonë kapja e medias së pavarur. Sepse kjo mundëson që zmbrapsja dhe korrupsioni të ndodhin në errësirë. Pra, ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur median dhe shtypin tonë të pavarur”, theksoi Der Leyen
Ndryshe nga më parë, për herë të parë shefja e Komisionit Evropian mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit për shkak të krimeve që po ndodhin në Gaza. Ajo paralajmëroi ndalimin e pagesave dypalëshe për Izraelin, pezullimin e marrëveshjes tregtare si dhe sanksionimin e “ministrave ekstremistë”.
Sa i përket Ukrainës, ajo paralajmëroi, ndër të tjera, përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar rindërtimin në Ukrainë në vitet e ardhshme. Gjithashtu, premtoi ndihmë financiare për shtetet që kufizohen me Rusinë, për të mbrojtur kufijtë e tyre kundër agresionit të mundshëm rus.























