Haxhiu: Shteti ynë është shtet unitar e jo multietnink
V. S. & M.M./ RTKlive
(E plotësuar) Në një konferencë për medie nënkryetarja e Kuvendit të Kosovë, Albulena Haxhiu, tha se kjo ka të bëjë me komentet që LVV ka dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese, meqë, sipas saj, dje ka qenë edhe afati i fundit i dorëzimit të komenteve në raport me kërkesën Listës Serbe. Ajo tha se vendi ka nevojë për një qeveri të re ose zgjedhje të reja.
“Shteti ynë është shtet unitar e jo multietnik. Ky model është rregullator i Republikës sonë demokratike në shteti tonë të shpallur në vitin 2008, asnjë grup etnik, shoqëror apo gjinor nuk e ka të drejtën e vetos përmbi organet tona që sfidojnë Republikën. Ne qytetarët e kësaj republike jemi palë të barabarta”, theksoi Haxhiu.
Ajo ka thënë se, pavarësisht dallimeve që kanë me partitë opozitare, ata duhet të bëhen bashkë në mbrojtjen e shtetit “kundrejt një subjekti politik që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe e lufton atë”.
“Mendoj që secili deputet i Kuvendit, secili subjekt, sidomos partitë shqiptare ka qenë e rëndësishme të dërgojnë komente në Kushtetuese. Pavarësisht dallimeve që ne kemi, është e rëndësishme ta mbrojmë shtetin tonë kundrejt një subjekti politik që nuk e njeh Republikën e Kosovës e lufton atë dhe tenton të bllokojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës”, theksoi ajo.
Tutje Haxhiu ka akuzuar opozitën se ata nuk i siguruan 5 vota që ta zgjidhnim deputetin Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit.
"Teksa opozitarët hedhin akuza të vazhdueshme në drejtim të LVV-së, do të ishte e rëndësishme që në këtë betejë të ishim bashkë, por vetë fakti që ata nuk i siguruan 5 vota që ta zgjidhnim deputetin Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit, është i mjaftueshëm për të kuptuar pozicionin e partive politike dhe për të kuptuar se kush sot e bën avokatin e Listës Serbe. Për ne ka qenë e papranueshme masa që ka marrë Gjykata Kushtetuese, sidomos në afat prej 25 ditësh, është kohë shumë e gjatë, vendi ka nevojë për një qeveri dhe ne duhet ët ecim përpara, ose me qeverinë e re që është në plotni me qëndrimin tonë politik ose me zgjedhje të reja”, ka thënë Haxhiu.
Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është pyetur për aktakuzën e ngritur ndaj Faruk Mujkës, tha se për rastin nuk ka informacione prandaj edhe nuk mund të flas.
“Sa isha duke ardhur në këtë konferencë u njoftova nga zëdhënësi i LVV-së për këtë. Nuk kam më tepër informacione dhe nuk mund të flas për sa nuk kam informacione. LVV do ta trajtojë këtë rast do të interesohet. Ju e dini që menjëherë ka pasur qëndrime për rastet për Rozeta Hajdarin, Faton Peci, sepse i kemi parë lëndët dhe pretendimet e prokurorisë, por për këtë çështje unë nuk kam më shumë informacione. Ose drejtohuni tek zotri Mujka ose prisni derisa atë kemi informacione pak më shumë.
Haxhiu: Nuk e votojmë asnjë kandidat të Listës Serbe
Haxhiu thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e voton asnjë kandidat të Listës Serbe, ‘nuk ka gjykatë që mund t’i thotë një partie politike patjetër duhet të votosh për atë person’.
“Sa i përket kandidatëve të Listës Serbe, unë këtu e them, asnjërin nga deputetët e Listës Serbe nuk do ta votojmë. Lista Serbe nuk është dashur as të certifikohet, ne edhe aso kohe e kemi kundërshtuar certifikimin. Fatkeqësisht i kemi 9 deputet të tyre në Kuvend e fatmirësisht nuk i kemi dhjetë, e kemi një deputet që e njeh Republikën, Nenad Rashiqin, sepse pas sa viteve është bërë ky ndryshim dhe 9 të tjerë që nuk e njohin Republikën. Dhe siç e kam thënë, kryetari formal i tyre Milan Radoiçiq është strehuar në Serbi dhe është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjksë dhe jo vetëm, për shumë sulme që kanë ndodhur ndaj policisë, KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve dhe shumë krime tjera”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se për këtë LVV nuk do të votojë asnjë deputet nga radhët e Listës Serbe.
“Nuk ka gjykatë që mund t’i thotë një partie politike patjetër duhet të votosh për atë person, nuk mundet. Edhe kur ka qenë rasti im, ne kemi ftuar deputetët e opozitës të votojnë për, kundër apo abstenim. Nuk kemi thënë që e kanë detyrim patjetër të votojnë për, mirëpo ata e refuzuan. Por, për sa kohe ne na refuzonin e votonin kundër, nuk e pamë asnjë votë kundër për ata të Listës Serbe”, tha ajo.























