“Summer Cult XII” mbyllet me sukses me ndarjen e çmimeve të festivalit
Sh.G|RTKlive
Për gjashtë mbrëmje me radhë, festivali teatror “Summer Cult” përcolli emocione të forta te publiku që mbushi qendrën Barabar në Prishtinë.
E shtuna shënoi edhe mbylljen e edicionit të dymbëdhjetë, me ndarjen e çmimeve për më të mirët.
Çmimi: Shfaqja më e mirë u nda për shfaqjen “Detektivi dhe Nana”, me tekst dhe regji të Agush Mulliqit, me motivacionin:
“Për krijimin e një shfaqjeje që ndërthur trajtimin e temave të ndjeshme me humor therës dhe intensitet dramatik, duke e bërë përvojën skenike të plotë dhe të fuqishme.”
Çmimi: Regjia më e mirë iu dha Qëndresa Spahiut për shfaqjen “Psikozë 4.48”, me motivacionin:
“Për mjeshtërinë në ndërtimin e një performance kolektive, ku çdo element kontribuon në intensitetin dramatik dhe unitetin artistik.”
Çmimi: Aktori më i mirë në rol kryesor iu dha Drin Berishës për rolin e tij në shfaqjen “Detektivi dhe Nana”, me motivacionin:
“Për ndërtimin e një personazhi kryesor të fuqishëm, ku energjia dhe nuancat pasurojnë natyrshmërinë e lojës.”
Çmimi: Aktorja më e mirë në rol kryesor iu nda Albina Krasniqit për interpretimin e saj në “Psikozë 4.48”, me motivacionin:
“Për energjinë dhe finesën që e shndërruan rolin kryesor në një prani të veçantë, të fuqishme dhe me elegancë artistike.”
Çmimi: Aktori më i mirë në rol dytësor iu dha Bleron Hevziut që interpretoi në shfaqjen “Bouncers”, me motivacionin:
“Për prezencën e tij të ndjeshme në rolin dytësor, që e bëri shfaqjen më të plotë dhe tërheqëse.”
Çmimi: Aktorja më e mirë në rol dytësor iu dha Eva Gjikës për interpretimin e saj në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, me motivacionin:
“Për shtresat emocionale që e bënë rolin dytësor të shfaqjes të spikatur dhe të ndjeshëm.”
Kurse Çmimin Special e fitoi aktori bullgar Sevar Ivanov për shfaqjen “Qeni i vogël qeshi”.
Ky çmim iu dha atij për lojën aktoreske mbresëlënëse në edicionin e XII-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Summer Cult”. Performanca e tij u veçua për thellësinë emocionale, fuqinë shprehëse dhe energjinë e gjallë që solli në skenë, duke e bërë interpretimin e tij një nga momentet më të paharrueshme të këtij festivali.
Festivali “Summer Cult”, me moton “Jetoje artin jashtë kornizave”, solli në skenën teatrore trupa nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria. Edicioni i 12-të ishte dinamik dhe i larmishëm, me aktivitete të ndryshme, diskutime rreth shfaqjeve, konferencë teatrore, stand-up comedy, lexim skenik, etj. Publiku mbushi çdo mbrëmje qendrën Barabar, ku u dhanë shfaqjet.
Festivali u hap më 15 shtator me shfaqjen nga Kosova, “Bouncers”, me regji të Kastriot Saqipit, ku luajtën aktorët Bleron Hevziu, Erion Fetahu, Venera Bojaj dhe Muhamed Tërtini. Kjo shfaqje ofroi një pasqyrë satirike të jetës urbane natën, duke trajtuar tema si maskilizmi, marrëdhëniet gjinore dhe identiteti në shoqërinë moderne.
Më 16 shtator, u dha premiera e Leximit Skenik “Qengji i butë thith vrerë”, me autor Euron Kadriun, dramaturg, skenarist, aktor dhe regjisor nga Kosova. Po atë ditë u shfaq “Detektivi dhe Nana” e autorit dhe regjisorit Agush Mulliqi, ku interpretuan aktorët Lorent Pacolli dhe Drin Berisha. Kjo shfaqje përcolli humor të zi, ku dhuna, dashuria dhe hakmarrja përplasen në një dhomë të vetme.
Në kuadër të programit të festivalit, më 17 shtator, u mbajt diskutimi i titulluar “Profil” me krijuesen Dhurata Hoti, e cila ka mbi një dekadë përvojë në dramaturgji, skenare dhe gazetari, dhe është shpërblyer për veprat e saj.
Po në këtë ditë u shfaq “Psikozë 4.48” me regji të Qëndresa Spahiut. Në këtë shfaqje interpretuan: Advije Ukca, Agnes Nokshiqi, Albina Krasniqi, Donike Ahmeti, Kosovare Krasniqi. “Psikozë 4.48” tregon shpërbërjen e identitetit dhe kompleksin e përvojave të individëve që përballen me çrregullime mendore, përmes pesë personaliteteve të Saras.
Më 18 shtator u mbajt Konferenca Teatrore – Edicioni VII, që sivjet temën kryesore e kishte “Teatri në Kohën e Inteligjencës Artificiale: Mes Sfidave dhe Mundësive”. Panelistët, emra të njohur të teatrit dhe universitetit, shtjelluan ndikimin e inteligjencës artificiale në teatrin.
Në këtë ditë u shfaq “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, shfaqje nga Shqipëria, me regji të Erina Lazit, ku interpretuan: Klajdi Malellari, Klodian Çelmeta, Eno Basha, Eva Gjika, Kejda Shqefni. Shfaqja, e bazuar në romanin e njohur të shkrimtarit Ismail Kadare, rrëfen historinë e një gjenerali italian në kërkim të eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 19 shtator u dha shfaqja “Qeni i Vogël Qeshi” nga Bullgaria, me regji dhe adaptim të Ana Batevës, ku interpretoi Sevar Ivanov. Shfaqja tregoi për fuqinë degraduese të egos, e cila mund ta shtyjë me rrëmbim një njeri larg realitetit, që zëvendësohet nga ëndrrat, ku vetëdashuria dhe narcisizmi arrijnë kulmin.
Në natën e fundit të festivalit, më 20 shtator, u dha shfaqja “Gishti” nga Maqedonia e Veriut, me regji të Refet Abazit dhe Hismet Ramadanit, ku luajtën: Yllka Nuredini, Melika Kastrati, Bejtulla Kerimi. Grindjet e përditshme, prerja e perimeve dhe palosja e rrobave treguan ngadalësinë e jetës dhe intensitetin e marrëdhënieve, duke hapur për publikun dimensionet më të thella të vuajtjes dhe tensionit midis tyre.
Në natën finale, publiku shijoi një stand-up comedy nga aktorja e njohur Valina Muqolli.
Drejtoresha e festivalit, Eli Nura ka theksuar se është mbresëlënëse interesi i madh i publikut dhe artistëve të rinj për të qenë pjesë e festivalit. “Summer Cult” është platforma jonë e përbashkët, ku krijuesit e rinj dëshmohen, promovohen dhe mbështeten nga Cult Club,” është shprehur Nura, thuhet në njoftimin për media të festivalit.
Juria profesionale e festivalit ishte e përbërë nga: Zymber Kelmendi, dramaturg dhe skenarist i njohur, me përvojë të pasur në teatër dhe film; Suela Konjari, një nga aktoret më të njohura dhe të dashura shqiptare, me një karrierë të pasur në teatër, kinema dhe regji; dhe Gent Çajani, regjisor dhe producent avangard, me një karrierë të pasur në teatër dhe film.
Festivali “Summer Cult” realizohet nga Cult Club dhe është pjesë e programit vjetor të kësaj organizate kulturore me përvojë të gjatë. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe donatorë të ndryshëm, thuhet në njoftimin për media të organizatës.























