KQZ i nisë me postë pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës
Edina Avdiu|RTK
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka nisur 44 mijë pako me fletëvotime për zgjedhjet lokale të 12 tetorit për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe, sipas tyre, shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e radhës që mbajti KQZ-ja, aty ku u prezantua edhe raporti për këtë çështje.
“Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës. Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së”, u tha aty.
U bë e ditur se në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar.
“Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ. Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, u tha në KQZ.
Tutje në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.
Për nga numri i vëzhguesve të akredituar prinë Partia Demokratike e Kosovës me 4 mijë e 328, e dyta radhitet Lëvizja vetëvendosje me 3 mijë e 915 vëzhgues, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë 3 mijë e 820 vëzhgues në zgjedhjet e 12 tetorit, e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë 2 mijë e 632 vëzhgues, nërsa partitë tjera kanë dukshëm më pak vëzhgues në këto zgjedhje.























