SBASHK pjesëmarrës në Konferencën për arsim gjithëpërfshirës në Evropë
V.Th / RTKLive
Më 25–26 shtator 2025, në Varshavë të Polonisë, po mbahet Konferenca Finale e projektit të ETUCE-së “In and through education: Education Trade Unions support the inclusion of refugees and migrants” (Në dhe përmes arsimit: Sindikatat e Arsimit mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe migrantëve).
Në këtë ngjarje marrin pjesë sindikata të arsimit nga vende të ndryshme evropiane, ndër to edhe SBASHK.
SBASHK përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, prof. Ymer Ymeri dhe nënkryetarja znj. Vjollca Shala, të cilët po ndajnë përvojën e Kosovës në adresimin e sfidave të integrimit të refugjatëve dhe migrantëve në sistemin arsimor. Konferenca u hap me fjalimet përshëndetëse të John MacGabhann, President i ETUCE-së, Sławomir Broniarz, President i ZNP (Poloni) dhe Barbarës Nowacka, Ministre e Arsimit të Polonisë.
Gjatë aktivitetit, Jelmer Evers nga ETUCE prezantoi rezultatet e projektit ETU4REF, ndërsa Dominique Danau nga SAGO Research paraqiti gjetjet kërkimore dhe rekomandimet për politika gjithëpërfshirëse në arsim. Sesionet e punës përfshinë diskutime mbi mënyrat më efektive për përfshirjen e nxënësve refugjatë dhe migrantë, rolin e sindikatave në mbështetjen e mësimdhënësve, si dhe avokimin për politika arsimore gjithëpërfshirëse dhe barazi në arsim.
Ky aktivitet, i mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian, është një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të avancuar misionin e arsimit si një e drejtë universale për të gjithë. Konferenca vazhdon edhe gjatë ditës së dytë me sesione të dedikuara shkëmbimit të përvojave mes sindikatave evropiane dhe promovimit të të drejtave të mësimdhënësve.
SBASHK riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në këto nisma evropiane, duke mbrojtur të drejtat e mësimdhënësve dhe duke promovuar një arsim cilësor e gjithëpërfshirës për çdo fëmijë.























