Basha e diplomati hungarez flasin për zhvillimet aktuale
BKT
Lajme

Basha e diplomati hungarez flasin për zhvillimet aktuale

V.S|RTKlive

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka pritur sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lászlo István Dux, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Zyra për media e Kuvendit thotë se kreu i legjislativit e diplomati hungarez zhvilluan bisedë përmbajtjesore për bashkëpunimin e mirë mes popujve dhe institucioneve të të dyja shteteve, me theks të veçantë në rritjen e ndërveprimit në nivel të komisioneve të përbashkëta.

Mysafiri i ka dorëzuar kryeparlamentarit të ri të Kosovës urimin e homologut të tij nga Hungaria, duke e ftuar njëkohësisht në takimin e kryetarëve të kuvendeve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.

“Kryetari Basha falënderoi ambasadorin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe njëkohësisht shprehu mirënjohjen për shërbimin në funksion të paqes dhe sigurisë nga trupat hungareze në kuadër të KFOR-it. Kryetari i Kuvendit shprehu keqardhjen për lëndimet që ushtarët hungarez morën në sulmin e vitit 2023, sulm ky që erdhi nga strukturat kriminale në veri”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se në takim u diskutua gjithashtu për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”.

“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane”, ka theksuar kryetari, Dimal Basha.  


MË SHUME NGA Lajme