Presidentja Osmani takoi dy ministre të qeverisë belge
BKT
Foto| Arbresha A. Berisha | RTK
Lajme

Presidentja Osmani takoi dy ministre të qeverisë belge

Arbresha A. Berisha| RTK

( E plotësuar, ora 11:56) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden si dhe Ministren e Azilit dhe Migracionit, si dhe e Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien. Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Presidentja Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.

Presidentja Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.

Osmani do të takohet sot me dy ministre të qeverisë belge

A.B / RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret sot në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden si dhe Ministren e Azilit dhe Migracionit, si dhe e Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

Ndryshe Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja për Azil dhe Migracion, Anneleen Van Bossuyt, nisën një vizitë tre-ditore diplomatike në Kosovë e Shqipëri. Vizita ka për qëllim diskutimin e trajtimit të mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Për të lehtësuar mbipopullimin kronik të burgjeve belge, qeveria po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për personat e dënuar që nuk janë rezidentë në Belgjikë. Gjatë vizitës në Shqipëri dhe Kosovë, ministrat do të zhvillojnë bisedime eksploruese për këtë ide, raporton Belga News Agency.

Vizita përfshin edhe diskutime mbi një letër qëllimi për ndarjen e aseteve, e cila do të lejonte që një pjesë e të ardhurave kriminale të konfiskuara në Shqipëri ose Kosovë si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të kthehen në thesarin belg.

Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh për ndihmë të ndërsjellë ligjore, me synim forcimin e bashkëpunimit afatgjatë gjyqësor.


MË SHUME NGA Lajme