Veprat e artistes Albana Ejupi prezantohen në Vjenë
Lumira Kelmendi / RTK
Albana Ejupi, një artiste e cila prej vitesh jeton në Vjenë të Austrisë, e përdor artin si një instrument shumëplanësh për t`u marrë me aspektet shpirtërore dhe sociale të natyrës njerëzore.
Skulptura së bashku me pikturat e saj dy-dimensionale janë prezantuar në ekspozitën “In Between” që është hapur në Galerinë Lukas Feichtner në Vjenë. Kalimi i saj nga skulptura në pikturë, nuk ndodhi papritur, por u shfaq si diçka që ishte e pranishme Brenda sipërfaqes së veprave të saj. Të shtresuara me rërë, pëlhurë dhe gjest, veprat mbajnë një tension prekës – një nxitje për të dale përtej imazhit të sheshtë dhe për t’u kthyer në formë.
Metoda e saj e punës përfshin përdorimin e shtresave të ndryshme të ngjyrave dhe materialeve në pëlhurë. Ndërkaq, një pjesë e rëndësishme në punën e saj është rëra nga Kosova, që përfshin një pjesë të trashëgimisë e cila është e rëndësishme për të.
Sipas konceptit të artistes, ajo tregon se trupi do të thotë ekzistencë dhe ekzistenca është e dukshme. Ajo kërkon të kuptoj se çfarë do të thotë të jesh njeri pasi ne nuk jemi thjesht persona të veshur që i prezantojmë botës, ne jemi mendja dhe trupi ku jetojmë.
Kjo seri e re veprash quhet “In Between”, sepse jeton pikërisht aty, në hapësirën mes pikturës dhe skulpturës, imazhit dhe objektit, sipërfaqes dhe formës, qetësisë dhe shndërrimit, ndërmjet vetes dhe tjetrit.
Ekspozita në fjalë lidhet ngushtë me procesin kërkimor dhe artistik të Albana Ejupit në kuadër të studimeve të doktoraturës, të cilat ajo po i përfundon në udhëheqjen e profesoreshës Felicitas Thun-Hohenscheinnë në Vjenë.
Profesoresha Thun-Hohenschein, e njohur për qasjen e saj në fushën e kërkimit artistik bashkëkohor, ka qenë edhe kuratore e ekspozitës, duke e vendosur “In Between” në një kontekst që bashkon praktikën artistike me reflektimin akademik. Ky bashkëpunim pasqyron thelbin e kërkimit të Ejupit mbi identitetin, përkohshmërinë dhe trupin si hapësirë ndërmjetësuese mes artit dhe përvojës njerëzore.
“In Between” ekspozita e Albana Ejupit, që po qëndron e hapur në Galerinë Lukas Feichtner në Vjenë, më pas do të prezantohet në Galerinë e Artit Burkhard Eikelmann në Dusseldorf të Gjermanisë.
Përderisa, në nëntor, veprat artistike të Albana Ejupit do të ekspozohen për herë të parë në Hong Kong, në Panairin e artit The Art Austria Highlights.























