Sot mbahet konferencë shkencore kushtuar 80-vjetorit të Resmije Kryeziut
K. K. / RTKlive
Sot nga ora 11:00, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës po mbahet një konferencë shkencore kushtuar 80-vjetorit të lindjes së shkrimtares, publicistes dhe studiueses së shquar Resmije Kryeziu.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Gëzim Aliu, shef i Degës së Letërsisë në IAP, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, duke vënë në pah traditën e Institutit për të nderuar figurat e shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare.
“Instituti Albanologjik ka traditë që t’i festojë ditëlindjet dhe përvjetorët e studiuesve të vet, sidomos të atyre të shquar. Rëndësia është e madhe, sepse përmes këtyre aktiviteteve synojmë ta luftojmë harresën që shpesh mbulon figura të tilla të rëndësishme”, tha Aliu.
Ai shtoi se në këtë tryezë do të marrin pjesë studiues të njohur të letërsisë dhe kulturës, të cilët do të ndajnë mendimet dhe analizat e tyre për jetën dhe veprën e Kryeziut.
Resmije Kryeziu ka dhënë një kontribut të çmuar në dy fusha kryesore: në studimin letrar dhe në krijimtarinë artistike, ku në vitet e fundit është angazhuar intensivisht me romane dhe shkrime letrare që kanë marrë vlerësime pozitive nga kritika.
Një ndër pikat kulmore të veprimtarisë së saj mbeten monografitë, veçanërisht ato që trajtojnë figurën e gruas në letërsinë shqipe. Sipas Aliut, monografia “Personazhi i gruas ndërmjet dy luftërave botërore” është një vepër referuese për këdo që merret me studimet mbi këtë tematikë.























