Analistët: Një vendim në favor të Listës Serbe, i dëmshëm për Kosovën
BKT
Lajme

Analistët: Një vendim në favor të Listës Serbe, i dëmshëm për Kosovën

Majlinda Doda/RTK-Radio

Lista Serbe ka dorëzuar sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke pretenduar se me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe një aktgjykim i mëparshëm i Kushtetueses.

 

Në ankesën e saj, kjo parti ka kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme, për të pezulluar punën e Kuvendit derisa të merret një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Analisti politik Dritëro Arifi vlerëson se një vendim në favor të Listës Serbe do të ishte i dëmshëm për institucionet e Kosovës.

“Nëse sërish del fituese, do të ishte e turpshme për institucionet e vendit dhe për kryeministrin e ardhshëm. Herën e parë e fituan betejën ligjore, që ka qenë e turpshme – nëse ndodh përsëri, kjo tregon dobësi të sistemit tonë”, tha ai për Radio Kosovën.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani thekson se ankesa e Listës Serbe nuk duhet të jetë pengesë për proceset politike në vend.

“Kushtetuta e përcakton qartë që komunitetet duhet të kenë një përfaqësues në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, por kjo nuk mund të përdoret për të bllokuar institucionet e Kosovës”, tha Burjani.


MË SHUME NGA Lajme