Video sensibilizuese e IOM-it dhe RTK-së kundër trafikimit me njerëz
BKT
Lajme

Video sensibilizuese e IOM-it dhe RTK-së kundër trafikimit me njerëz

RTKlive

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), në partneritet me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ka lansuar një video ndërgjegjësuese që synon të informojë qytetarët e Kosovës mbi rreziqet e trafikimit me njerëz, në kuadër të shënimit të Ditës së BE-së kundër Trafikimit me Njerëz.

Videoja, e cila mund të shikohet në rrjetet sociale të IOM-it dhe transmetohet në RTK 1 dhe RTK 2, përcjell përmes një historie simbolike rrugëtimin e Adrianit, një të riu që përgatitet të udhëtojë jashtë vendit pas liberalizimit të vizave. Ajo që fillon si ëndërr për mundësi të reja, shndërrohet shpejt në makth – një kujtesë e fortë se jo çdo premtim pune apo suksesi jashtë vendit është real, njofton IOM.

Mesazhi i videos është i qartë: trafikimi me njerëz mund t’i ndodhë kujtdo, dhe ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt mbrojtjes. Fushata synon të rrisë vetëdijen publike për udhëtimin e sigurt dhe të informuar, duke theksuar se ofertat e rreme të punës apo premtimet joreale mund të çojnë në shfrytëzim.

Videoja transmetohet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, disa herë në ditë në RTK 1 dhe RTK 2. Në fund të videos shfaqet një kod QR, https://ee.kobotoolbox.org/x/dwOqIZA8 përmes të cilit shikuesit mund të marrin pjesë në një anketë interaktive mbi njohuritë e tyre për trafikimin me njerëz dhe migrimin e sigurt.

Me këtë kampanjë, RTK i bashkohet thirrjes për forcimin e ndërgjegjësimit dhe edukimit në komunitete, duke kujtuar se një udhëtim i informuar është një udhëtim i sigurt.


MË SHUME NGA Lajme