OSBE/ODIHR: Zgjedhjet në Shqipëri konkuruese, por të polarizuara
rtsh
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR, ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke vlerësuar se procesi ishte konkurrues dhe i mirëmenaxhuar, por i zhvilluar në një mjedis shumë të polarizuar dhe me mungesë mundësish të barabarta mes kandidatëve.
Raporti thekson se administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa votimi jashtë vendit, i aplikuar për herë të parë, u realizua me sukses pavarësisht sfidave organizative.
OSBE/ODIHR thekson se kuadri ligjor ka mangësi të rëndësishme dhe kërkojnë të adresohen për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku përfshihet përmirësimi i administratës zgjedhore, transparenca e financimit të fushatës dhe garantimi e lirisë së medias. Këto mangësi, thekson raporti, tregon mungesën e vullnetit politik për reforma.
“Kuadri ligjor ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nga nevoja e vazhdueshme për një reformë të gjerë zgjedhore përmes konsultimeve publike gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e vërejtura zvogëlojnë qartësinë e kuadrit ligjor dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e frymës dhe germës së ligjit. Ndonëse disa rekomandime të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës janë adresuar, shumica e rekomandimeve të bëra prej kohësh, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatës, dhe sigurimin e një klime të favorshme mediatike, si dhe me heqjen e përgjegjësisë penale për shpifjen, nuk janë adresuar, duke treguar mungesë të vullnetit politik për reforma gjithëpërfshirëse”, thuhet në raport.























