Mbahet trajnim për mbrojtësit e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës
BKT
Lajme

Mbahet trajnim për mbrojtësit e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

RTKlive

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), me mbështetjen e UN Women, ka organizuar një trajnim profesional për mbrojtësit e viktimave, me fokus të veçantë në traj­timin e rasteve të dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky trajnim ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të profesionistëve që ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale, duke siguruar qasje të ndjeshme, profesionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në hapje të trajnimit mori pjesë drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, i cili vlerësoi rëndësinë e përkushtimit institucional në fuqizimin e rolit të mbrojtësve të viktimave.

“Rritja e kapaciteteve profesionale dhe mbështetja e vazhdueshme për ata që punojnë drejtpërdrejt me viktimat janë thelbësore për garantimin e drejtësisë dhe respektimin e dinjitetit të tyre”, u shpreh Istrefi.

Trajnimi po udhëhiqet nga ekspertja dhe ish-prokurorja, Drita Hajdari, e cila ka ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në traj­timin e rasteve të ndjeshme të dhunimeve seksuale gjatë luftës.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë edhe menaxheri i ZMNV-së në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Burhan Maxhuni, si dhe mbrojtësit e viktimave dhe stafi administrativ nga Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës (SKPK).

Gjatë sesioneve të trajnimit u theksua rëndësia e forcimit të rolit të mbrojtësve të viktimave në ofrimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në mbrojtjen e viktimave të dhunës, veçanërisht të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të drejtë dhe më human të drejtësisë në Republikën e Kosovës, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit, transmeton RTKLive.


MË SHUME NGA Lajme