`Lufta ime nuk ka qenë e lehtë`, Nafije Latifi rrëfen betejën me kancerin
Sh.G|RTKlive
Gazetarja dhe aktivistja Nafije Latifi, në një rrëfim për emisionin “Gjurmët”, ka ndarë me publikun historinë e saj prekëse dhe të guximshme përballë kancerit të gjirit. Përmes emocioneve dhe kujtimeve të dhimbshme, ajo ka treguar momentet e para të përballjes me sëmundjen, pasiguritë, frikën, por edhe forcën për të ecur përpara.
Dokumentari prezanton zonjën Latifi si një gazetare dhe aktiviste që ka punuar për vetëdijesimin dhe ndihmën ndaj grave të prekura nga kanceri i gjirit. Si e mbijetuar e kësaj sëmundjeje, ajo ka angazhuar publikisht për të thyer tabunë që ekzistonte në Kosovë, në një kohë kur nuk kishte trajtim adekuat nga institucionet shëndetësore.
Falë aktivizmit të saj, shumë gra dhe vajza të reja kanë shpëtuar duke u diagnostikuar në stadet e hershme të sëmundjes. Latifi ka ndikuar gjithashtu në sensibilizimin e institucioneve të vendit dhe të sistemit shëndetësor, duke kontribuar në krijimin dhe funksionalizimin e Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen të gjitha rastet me kancer.
Puna humanitare e saj dhe kërkesat e vazhdueshme kanë rezultuar në një bashkëpunim të ngushtë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila siguron pakot onkologjike për çdo grua që diagnostikohet për herë të parë.























