Presidentja Osmani fton për nesër në takim krerët e partive politike
V.S & A.B / RTKlive
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të partive politike. Kështu ka bërë të ditur për RTKLive Bekim Kupina, këshilltar për medie.
Takimi do të zhvillohet gjatë ditës së premte nga ora 12:00. Takimi është paralajmëruar që nga dështimi i formimit të qeverisë.
Albulena Haxhiu nga VV, konfirmoi se të premten do të jenë të takimin e ftuar nga Osmani dhe nesër do të japin qëndrim.
Partia Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e nesërm te presidentja Osmani. Vlora Çitaku tha për RTKlive se aty do të jetë lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e PDK-së.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar për RTKlive se ktyetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të merr pjesë në këtë takim.
“Po Kryetari merr pjesë”, tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Edhe AAK-ja e konfirmoi praninë e liderit të kësaj partie në takimin e thirrur nga e para e shtetit për të premten nga ora 12:00.
“Po, kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takim”, ka thënë për RTKlive Kushtrim Xhemajli zëdhënësi i AAK-së.
Edhe Xhevahire Izmaku nga Nisma e ka konfirmuar pjesëmarrjen e liderit të Nismës, Fatmir Limaj.
“Po, do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga presidentja nesër, në kuadër të përkushtimit tonë për dialog dhe bashkëpunim institucional”, ka thënë Izmaku për RTKlive.
Lidhur me këtë takim ende s’është deklaruar Vetëvendosje.
























