Tmava Veselaj zë vendin e parë në Festivalin Mbarëkombëtar të Poezisë
BKT
Kulturë

Tmava Veselaj zë vendin e parë në Festivalin Mbarëkombëtar të Poezisë

K. K. / RTKlive

Fituesja e çmimit të parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Poezisë, Blertë Tmava Veselaj, u shpreh në emisionin Mirëmëngjesi Kosovë në RTK se nuk kishte pritur një rezultat të tillë.

“Nuk kisha ndonjë pritshmëri që do të jem as në mesin e ngushtë, por e dërgova poezinë, u përzgjodha dhe në fund dola fituese”, tha ajo.

Ajo tregoi se momenti i shpalljes së fitueses ka qenë i paharrueshëm.“Kur u thirr emri im, isha aq shumë në emocione sa nuk e di si arrita deri te skena”, shtoi Tmava Veselaj.

Blerta shtoi se poezia e saj, me titull “E kuqja nuk është ngjyrë”, është fryt i një përjetimi të thellë shpirtëror.

“Zakonisht shkruaj me ndjenja, por kësaj here vendosa të shkruaj diçka më të thellë. Poezia ‘E kuqja nuk është ngjyrë’ nuk është kuptuar nga të gjithë në të njëjtën mënyrë, por në fund ky është shpirti i poetit, unë gjithmonë shkruaj atë që më vjen prej brenda”.

Ajo shpjegoi edhe kriteret e konkursit. “Kriteret ishin që poezia të mos jetë shumë e gjatë, deri në 20–25 vargje, të jetë e pabotuar dhe e padërguar në konkurse të tjera letrare”.

Sipas saj, pjesëmarrja në këtë festival ka qenë shumë e madhe.

“Vetë fakti që ishte festivali i parë letrar në Tiranë, bëri që pjesëmarrja të ishte e gjerë, rreth 350 poezi. Fillimisht u eliminuan disa për mosplotësim kriteresh, më pas nga 250 poezitë e mbetura u përzgjodhën 40 si më të mirat e festivalit, dhe në fund pesë prej tyre morën çmime”, tregoi ajo.


MË SHUME NGA Kulturë