Në mungesë të institucioneve, punëtorët e RTK-së ende pa paga/Video
BKT
Lajme

Në mungesë të institucioneve, punëtorët e RTK-së ende pa paga/Video

Donika Sherifi /RTK

Në mungesë të institucioneve, punëtorët e Transmetuesit publik ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor. Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati, ka thënë se PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në dhe disa komuna.

Ndërkohë, nga këto dy parti nuk janë deklaruar sa i përket buxhetit të RTK-së. Në anën tjetër, sindikata e Punëtorëve të RTK-së njofton se të enjten, më 06 nëntor do të mbahet protestë para hyrjes së televizionit publik.

Mbi 700 punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës ende nuk i kanë marr pagat e muajit tetor. E mjetet në llogari bankare nuk pritet t’u dalin nëse Kuvendi nuk bën një zgjidhje. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kjo çështje tani është në duart e dy partive politike, PDK dhe LDK.

“Krejt çfarë duhet për ekzekutim të buxhetit për RTK-në është vendimi i Komisionit Parlamentar për Buxhet. Me atë vendim, Thesari i shtetit brenda ditës e ekzekuton transferin e mjeteve, siç edhe e bën çdo herë. Mirëpo PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas tij, Kuvendi mund të formojë fillimisht vetëm komisionet e përhershme: për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve, të cilat sic ka shkruar ai, do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së.

Për akuzat e Muratit, RTK ka provuar të marr qëndrime nga zyrtaret e PDK-së dhe LDK-së, por që asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, në vitin 2021 në mungesë të komisioneve, kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti me një vendim të posaçëm kishte bërë të mundur që mediumit publik t’i realizohen të hyrat e tremujorit të parë.

Ndarjen e mjeteve buxhetore, Hoti e kishte arsyetuar me shuarjen e komisionit, duke urdhëruar që të aprovohet vendimi i tij, në të cilin thuhej se: "Meqë pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Buxhet dhe Transfere është shuar, sipas kërkesës se RTK-se dhe me qëllim që të mundësohet funksionimi i transmetuesit publik, përmes këtij vendimi aprovohet dhe autorizohet alokimi i mjeteve buxhetore dhe transferimi te RTK, për tremujorin e parë të vitit 2021".

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës duke shprehur shqetësim për mos-transferimin e buxhetit të RTK-së nga ana e institucioneve përkatëse, vlerësojnë se këto vonesa po e vënë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike e sociale të punëtorëve të mediumit publik, të cilët edhe sot, më datë 3 nëntor, janë pa paga dhe, rrjedhimisht, pa mundësi për të kryer obligimet ndaj bankave dhe ato ditore familjare.

Sipas sindikatës, RTK nuk duhet të shndërrohet në instrument të pazareve politike dhe financimi i RTK-së nuk mund të mbetet peng i mosmarrëveshjeve mes partive politike apo te përdoret për kalkulime politike. Sindikatat i kanë bërë thirrjen e fundit institucioneve për ekzekutim të buxhetit, në mënyrë që të shmangen protestat dhe grevat e punëtorëve.


MË SHUME NGA Lajme