Gjakova bashkon shqiptarët në festivalin `Ditët e Nëntorit`
BKT
Kulturë

Gjakova bashkon shqiptarët në festivalin `Ditët e Nëntorit`

K. K. / RTKlive

Nga 15 deri më 29 nëntor, Gjakova do të bëhet qendra e kulturës shqiptare përmes edicionit të dytë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, një ngjarje që bashkon muzikën, artin dhe librin në një festë të madhe gjithëshqiptare.

Organizatori i festivalit, Ermal Hasimja nga Fondacioni për Gjakovë, tha për emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK se ky festival është i veçantë, sepse është 100% shqiptar, me aktivitete që synojnë të sjellin më të mirën e kulturës sonë nga të gjitha hapësirat shqiptare në Ballkan.

“Ky festival është special, sepse fokusohet plotësisht te kultura shqiptare. Të gjitha aktivitetet janë në gjuhën shqipe dhe synojnë të bashkojnë krijuesit tanë nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare”,  tha Hasimja.

Një nga kulmet e festivalit do të jetë mbrëmja e së shtunës, kur sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho do të performojë për herë të parë në Gjakovë, së bashku me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB).

“Ky koncert, që nuk është dhënë më parë as në Tiranë, Prishtinë apo ndonjë qytet tjetër, pritet ta vendosë Gjakovën në të njëjtin nivel kulturor me kryeqendrat e artit botëror”, pohoi ai.

Po ashtu ai tregoi  se më 21 nëntor do të shfaqet premiera e projektit “Natë e Gatë”, një krijim i ri i Petrit Çarkaxhiut, që vjen për herë të parë para publikut gjakovar.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e festivalit është Panairi i Librit, i cili do të zhvillohet në Çarshinë e Madhe.

“Këtu do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova, me botime të reja dhe takime me autorë të njohur shqiptarë”, pohoi Hasimja.

 


MË SHUME NGA Kulturë