Nagavci: Ose e votojmë qeverinë Konjufca ose i mbajmë dy palë zgjedhje/Live
BKT
Lajme

Nagavci: Ose e votojmë qeverinë Konjufca ose i mbajmë dy palë zgjedhje/Live

V.Th / RTKLive

(E plotësuar 22:45) Sa i përket formimit të qeverisë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa kompromise, dhe tani, sipas saj, janë dy rrugë përpara "ose e votojmë qeverinë Konjufca ose i mbajmë dy palë zgjedhje".

Ajo tha se LVV ka propozuar Glauk Konjufcën për kryeministër dhe se në afatin e përcaktuar ligjor do të thirret seanca e Kuvendit.

“Tani kemi dy rrugë përpara. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa kompromise deri tani, kemi propozuar zotin Konjufca. Në afatin e përcaktuar ligjor ne do të thërrasim seancën, zoti Konjufca do të propozojë kabinetin qeverisës. Kabineti do të jetë i njëjti, me ndryshimin që Kurti e Konjufca do të ndërrojnë pozicionet, me ndryshim që Konjufca do të propozohet kandidat për kryeministër, ndërkohë që kryetari i Lëvizjes Kurti do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme,” tha Nagavci.

Ajo theksoi se ekziston mundësia për të shmangur dy palë zgjedhje, duke u votuar Qeveria Konjufca deri në mbajtjen e zgjedhjeve, pasi sipas saj është e pamundur që me numrat aktualë të zgjidhet presidentja.

“Nëse nuk ka vullnet të partive PDK, LDK, AAK e të tjera, ashtu siç janë në bllok sepse janë bashkë në këto vota në anën tjetër të Lëvizjes, atëherë natyrisht se duhet të shkojmë edhe një herë në zgjedhje. Secili prej nesh para qytetarëve do të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet tona. Përderisa ne si Lëvizje tregojmë të gjitha kompromiset tona, LDK-ja e PDK-ja e të tjerë duhet të tregojnë pse po e dërgojnë vendin edhe në një palë zgjedhje,” përfundoi Nagavci.

Nagavci: LVV është fituese e zgjedhjeve, po qeverisim me shtatë komuna

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se subjekti i saj politik është fitues i zgjedhjeve lokale, duke theksuar se rezultati i arritur dëshmon rritjen dhe besimin e qytetarëve në këtë parti.

“Sigurisht që pritshmëritë dhe angazhimi ynë kanë qenë për edhe më shumë fitore, mirëpo nëse reflektojmë mbi rezultatin e arritur, mund të themi se Vetëvendosja në të vërtetë është fituese e zgjedhjeve – jo vetëm në raport me vetveten, por edhe në raport me partitë tjera”, tha Nagavci në RTK Prime.

Ajo bëri të ditur se Vetëvendosje aktualisht qeveris në shtatë komuna, duke përfshirë katër komuna ku ka udhëhequr edhe më parë, si dhe tri komuna të reja.

“Në katër komuna ku kemi qeverisur edhe në mandatin e kaluar, ne po riqeverisim. Kjo tregon se qytetarët e kanë vlerësuar punën e mirë të kryetarëve tanë dhe të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi ajo.

Sipas saj, suksesi i Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Kastriot (Obiliq) dhe Mitrovicën e Jugut përbën një arritje të veçantë.

“Në Fushë Kosovë, pas më shumë se 20 vitesh, qytetarët kanë vendosur që të qeverisen nga LVV. Po ashtu, edhe fitoret në Kastriot dhe Mitrovicën e Jugut janë suksese të jashtëzakonshme”, shtoi deputetja.

Nagavci tha se Vetëvendosje ka marrë rreth 48 për qind të votës së përgjithshme, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes së vazhdueshme të subjektit.

“Nëse krahasojmë me zgjedhjet e para lokale, kur kishim fituar vetëm një komunë – Prishtinën – më pas katër, dhe tani shtatë, shihet qartë se LVV është forcë politike në rritje si në nivel qendror ashtu edhe lokal”, u shpreh ajo.

Ajo gjithashtu vlerësoi punën e kandidatëve të partisë edhe në komunat ku LVV nuk ka fituar.

“Ne kemi pritur dhe jemi angazhuar shumë për të fituar edhe në Prishtinë, por edhe në Gjakovë, Pejë e Prizren. Edhe pse nuk fituam shumicën për të qeverisur, kandidatët tanë kanë qenë të përgatitur, kompetent dhe e kanë dhënë maksimumin”, tha Nagavci.

Sipas saj, kandidatët dhe asamblistët e LVV-së do të vazhdojnë të jenë aktivë në nivel lokal, duke mbikëqyrur qeverisjet komunale dhe duke ngritur cilësinë e debatit publik.

“Edhe aty ku nuk jemi fitues, do të qëndrojmë aktivë. Kandidatët tanë do të përcjellin punën në nivel të komunave dhe do të vazhdojnë me kritikat që i kemi dhënë për qeverisjet aktuale”, përfundoi Nagavci. 


MË SHUME NGA Lajme