Osmani: Gratë e Kosovës janë arkitektet e së ardhmes sonë
RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gratë e Kosovës nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës së lavdishme, por edhe arkitektet e së ardhmes.
“Nga gratë me uniformë që shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë dhe Shërbimin Korrektues, e deri te ato që udhëheqin në ekonomi dhe fusha të tjera, kontributi i tyre është fuqia e vendit tonë,” ka shkruar Osmani në një postim në platformën X.
Ajo ka shtuar se sot janë nderuar arritjet dhe potenciali i pakufishëm i grave, duke u shprehur mirënjohëse për mundësinë që të diskutojë mbi lidershipin e grave në siguri me Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës dhe EULEX-in, në shënimin e 25-vjetorit të Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”.
Agjenda GPS është deklarim i rolit thelbësor dhe transformues të grave në parandalimin e konfliktit, ndërtimin e paqes dhe rimëkëmbjen pas konfliktit. Kjo agjendë është një iniciativë ndërkombëtare e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 31 tetor 2000, përmes Rezolutës 1325. 























