PDK sot mban konventën zgjedhore
RTKLive
Partia Demokratike e Kosovës mban sot Konventën e dymbëdhjetë Zgjedhore.
Konventa mbahet në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ditë më parë ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.
Në një konferencë për media, Krasniqi njoftoi se do të mbahet Konventa e PDK-së ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.
“Kam thirrur edhe Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet Kryetari i ri i partisë. E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Krasniqi falënderoi qytetarët, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjen për mbështetjen ndër vite, duke e mbyllur me një mesazh mirënjohjeje e reflektimi për periudhën që la pas.
Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
"Me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka theksuar se tash është momenti për një PDK të bashkuar dhe të fokusuar në zhvillimin e vendit.
Kurse anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se konventa e partisë për të zgjedhur kryetarin, e cila është caktuar të hënën, duhet të shtyhet.























