Riformimi si ndjeshmëri artistike në veprat e Merita Selimit
RTKlive
Në kuadër të programit vjetor të Galerisë Qahili, më 24 nëntor 2025 duke filluar nga ora 19:00, hapet ekspozita personale “Ndjeshmëria ndaj riformimit” e artistes Merita Selimi Spahija, kuruar nga Nita Qahili.
Ekspozita paraqet një seri punimesh të krijuara ndër vite, ku vizatimi shfaqet si një praktikë kritike dhe reflektuese. Përmes këtyre veprave, artistja eksploron marrëdhënien mes vetëdijes, perceptimit dhe materialit – një proces ku akti krijues kthehet në prodhim dhe transformim të dijes.
Në konceptin kuratorial, theksohet një udhëtim i gjatë personal dhe artistik, i ndërtuar nga kujtime të hershme, përvoja zhvillimi dhe shtresa të formave që bashkohen për të hapur bashkëpunime të reja vizuale.
Një nga pikënisjet emocionale të kësaj ekspozite vjen nga imazhi i gjyshes së artistes, një kujtim i ruajtur që në moshën trevjeçare, e cila më pas shndërrohet në një motiv të përhershëm në krijimtarinë e saj, thuhet në njoftimin për medie.
Merita Selimi Spahija, pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe artiste me mbi tri dekada krijimtari, është e specializuar në grafikë dhe vizatim.
Ajo ka një karrierë të gjerë ekspozuese në Shqipëri dhe jashtë saj, duke marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare si Manifesta 14, Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Bienalja e Vizatimit. Kontributi i saj si kuratore dhe autore projektesh ka pasuruar skenën artistike shqiptare dhe ka promovuar artin bashkëkohor në rajon.
Ekspozita “Ndjeshmëria ndaj riformimit” realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.























