Gazetari i RTK-së, Osmanaj, vlerësohet në program ndërkombëtar në Qipro
Sh.G|RTKlive
Në programin e mëngjesit të RTK-së, i ftuar ishte gazetari i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Osmanaj, i cili së fundmi është vlerësuar për kontributin e tij të çmuar në një program ndërkombëtar në Qipro.
Ky sukses dëshmon profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në fushën e medias, ndërsa njëkohësisht tregon se gazetaria e Kosovës po afirmohet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.
Osmanaj ka qenë pjesë e një programi të specializuar që synon zhvillimin profesional të gazetarëve të transmetuesve publik në rajon.
Ai u përzgjodh për të marrë pjesë në një trajnim dhe program praktik në një televizion publik evropian, ku pati mundësinë të shkëmbejë përvoja dhe të ndjekë nga afër proceset e punës në një redaksi tjetër.
Në intervistën e tij për RTK-në, Osmanaj u shpreh: "Përvojë e mirë profesionale dhe personale. Ishte një thirrje që u bë në fillim të këtij viti, realisht në muajin mars. Është një grant i quajtur International Mobility Grant apo Granti për Lëvizshmërinë Ndërkombëtare, ku bëhet thirrje vetëm për gazetarët e transmetuesve publik, realisht transmetuesve publik në Ballkan. Bëhet fjalë për një, siç ata e quajnë, "job shadowing" apo punë praktike në një televizion tjetër publik në Evropë. Edhe ne e kemi pasur mundësinë që ta zgjedhim cilindo qoftë transmetues publik brenda Evropës dhe unë vendosa Qipron, e që ishte një përvojë jashtëzakonisht e mirë", tha ai.
Osmanaj vlerësoi këtë mundësi si një hap të rëndësishëm në rritjen profesionale dhe personale, ndërsa përfshirja e tij në këtë program u cilësua nga Bashkimi Evropiansi sukses edhe për RTK-në dhe gazetarinë kosovare në tërësi.























