Opera dhe Filharmonia me koncert premierë
Sh.G|RTKlive
Më 19 nëntor 2025, nga ora 19:30, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, bashkë me Korin e Operës së Kosovës, do të ngjiten në skenën e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, për një koncert ekskluziv.
Koncerti organizohet në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Romë. Ky koncert i paraprin prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Romë më 23 nëntor 2025 – si pjesë e ngjarjeve në shënim të Jubileut në Vatikan. Në këtë koncert do të interpretohet oratoriumi për solistë, kor dhe orkestër “La Tempesta sul Lago” nga Domenico Bartolucci.
Kasti i solistëve përfshin emra të njohur si Besa Llugiqi (soprano, Kosovë), Ivana Hoxha (mexosoprano, Shqipëri), Carlos Cardoso (tenor, Portugali) dhe Biagio Pizzuti (bas, Itali), ndërsa koret janë përgatitur nga dirigjenti Hajrullah Syla. Pas Prishtinës, ky koncert do të mbahet në Romë, në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, duke shënuar rikthimin e Filharmonisë së Kosovës me të dy njësitë e saj në Vatikan pas gati 10 vjetësh.























