Murati i reagon Grudës: Mund të formohen komisione pa u formuar qeveria
M.M. & K.K. / RTKlive
Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, në reagimin e tij ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovë nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda, tha se mund të formohen komisione ende pa u formuar qeveria.
“Në fjalimin e deputetit Gruda u thanë disa të pavërteta, u tha që nuk lejohet të mbahet seancë pa u votuar qeveria, megjithëse Kuvendi është i konstituuar. Por kjo nuk qëndron, sepse një gjë e tillë nuk është e shkruar askund. Ai (Gruda-v.j.) iu referua praktikave, të cilat bëhen duke u zbatuar në praktikë dhe kjo është një praktikë që po formohet tash”, tha Murati, derisa shtoi se kemi një situatë të jashtëzakonshme dhe mund të shfrytëzohet si e tillë.
Murati theksoi se prezenca e Grudës në seancë pas deklarimit të PDK për mospjesëmarrje në seancë dëshmon për disonancën brenda partisë.
Tutje, Murati tha se mund të formohen komisione ende pa u formuar qeveria, derisa shtoi se vetëm dy komisione nuk mund të formohen pa formimin e qeverisë e ato janë : Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së që duhet ta udhëheqë opozita dhe Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike të cilin gjithashtu duhet ta udhëheq opozita.

Basha: Seancat e jashtëzakonshme, rëndësi ka tejkalimi i krizës dhe buxheti
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, iu përgjigj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i cili tha se seanca e Kuvendit është jokushtetuese.
“Zotëri Gruda, për njohurinë tuaj, më 29 shkurt 2024 AAK ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme pa kuorum, dhe më 16 tetor 2024 PDK, gjithashtu, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme pa kuorum. Kjo është mundësuar nga pararendësi im, Glauk Konjufca”, theksoi Basha.
Tutje ai shtoi se “unë e kuptoj që mund të keni argumente për çështjen e themelimit të komisioneve dhe rolin e pozitës dhe opozitës, por unë e kam diskutuar këtë edhe në mbledhjen e qeverisë. Për besë, ne mund të bëjmë 5 anëtarë prej neve dhe 5 prej jush në secilin komision dhe ta tejkalojmë krizën”.
“Kjo është në interes të përbashkët, për t’i kaluar çështjet më të rëndësishme si marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti vjetor, buxhetet komunale dhe pagat e 700 familjeve të RTK-së. Vetëm desha ta sqaroj për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme”, tha ai.























