Nesër nis edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar `Moisiu`
BKT
Kulturë

Nesër nis edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar `Moisiu`

K. K. / RTKlive

Nesër në Prishtinë nis edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, i cili zgjat pesë ditë. Shfaqjet mbahen në Pallatin e Rinisë, Sallën e Kuqe dhe Amfiteatër, një prej ngjarjeve të rëndësishme kulturore që bashkon trupat teatrore nga e gjithë hapësira shqiptare.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, tha në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK se këtë vit publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 9 shfaqje, mes tyre edhe komedi të suksesshme, si dhe të marrë pjesë në diskutime, panele dhe sesione kritike që do të mbahen gjatë ditës.

Sipas Mehmetit, veçantia e këtij edicioni qëndron te fakti se festivali këtë herë zhvillohet në Prishtinë, duke përmbyllur ciklin e parë të rotacionit, i cili filloi në Shkup, vijoi në Tiranë dhe tashmë në  Prishtinë. Vitin e ardhshëm festivali rikthehet sërish në Shkup.

Në skenën e Prishtinës do të vijnë shfaqje nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Eksperimental, Teatri i Korçës, si edhe nga teatrot e Gostivarit, Tetovës, Preshevës, Gjakovës dhe Prizrenit. Mehmeti theksoi se ky festival u jep mundësi qytetarëve të shohin shfaqje që shpesh nuk kanë mundësi t’i ndjekin për shkak të distancave mes qyteteve.

“’Moisiu’ nuk është vetëm garë, por një festë dhe bashkim i teatrit shqiptar,” u shpreh ai, duke shtuar se nga ky festival shpesh lindin bashkëpunime të reja që vazhdojnë edhe pas përfundimit të tij.


MË SHUME NGA Kulturë