Murati për pagat e RTK-së: Po shohim të gjejmë zgjidhje përmes kursimeve
K.K / RTKlive
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur në një konferencë për media për situatën financiare të RTK-së, ku ka thënë se po mundohet të gjejnë zgjidhje përmes kursimeve.
“Ne po mundohemi të gjejmë një zgjidhje, megjithatë po të ishte vetëm RTK-ja, do të ishte paksa më e lehtë, problemin që e kemi tash, është që kemi KQZ-në, pra duhet zgjedhje të jashtëzakonshme që nuk ka qenë e buxhetuar, kemi edhe probleme të tjera që janë grumbulluar me mos votimin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Prandaj normalisht, që vështirësohet, gjetja e një zgjidhje adekuate për RTK-në, megjithatë, jemi duke provuar të gjejmë një zgjidhje dhe përmes kursimeve të mundshme të shohim nëse është e mundur të bëhet një ndajre e tillë”, tha ai.
Murati theksoi se komisioni nuk ka të bëjë fare me qeverinë dhe llogaridhënien dhe përgjegjësinë duhet kërkuar në Kuvend.
“Ka qenë çështje mes Kuvendit dhe transmetuesit pubik gjë që është refuzuar të kryhet si detyrë apo është pamundësuar për shkak të refuzimit të partive të tjera politike në këtë rast PDK, LDK, AAK, Nisma. Duhet tu kërkohet llogari partive tjera për refuzimin për të alokuar buxhetin tash kjo është emergjenca”. Nuk është çështje e Qeverisë, llogaridhëni dhe përgjegjësia kërkojeni fillimisht për pagat që ua mohuan partitë në Kuvend në seancën e fundit të jashtëzkonshme”, tha ai.
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se është situatë tejet e vështirë që gjithë ato familje që presin pagën në fund të muajit të mos e marrin për punën që kanë bërë. Ai theksoi se "tashmë është kryer; megjithatë, përkundër vullnetit, qeveria ka gjetur një mënyrë për muajin gusht, kur nuk kishte Kuvend të konstituar, duke alokuar një hua dhe dhënie të overdraftit".
“Krejt çka duhej ishte një vendim i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe kjo çështje do të zgjidhej. Partitë e tjera refuzuan kategorikisht. Ne ishim të gatshëm që të votonim që të funksionalizohej, mirëpo votat tona ishin të pamjaftueshme. Kësisoji, Kuvendi themelues e ka refuzuar ta kryejë detyrën", tha Murati.























