Fillon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës
E.Hoti/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Gjatë kësaj periudhe 11 ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes (1) platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.
KQZ sqaron se në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
KQZ sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlenë vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.
“Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës”, njofton KQZ.
Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.























