BE shpall fituesit e Çmimit për Gazetari Hulumtuese 2025 në Kosovë e rajon
RTKlive
Në një ceremoni solemne të mbajtur në Prishtinë, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, nderoi gazetarët më të guximshëm dhe me ndikim nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, fitues të Çmimit të BE-së për Gazetari Hulumtuese 2025.
Orav theksoi se, në një periudhë të dominuar nga dezinformimi, kërcënimet digjitale dhe presionet e vazhdueshme ndaj mediave, gazetaria hulumtuese mbetet një shtyllë e domosdoshme e demokracisë, duke zbuluar të vërteta, ekspozuar padrejtësi dhe mbrojtur të drejtën e publikut për informim.
Fituesit në Kosovë
Vendi i parë iu nda Ardiana Thaçi Mehmetit nga Kiks Kosova – Klan Kosova, për investigimin “Albkings”, i cili zbardhi një rrjet të shantazhit dhe abuzimit me “deepfake” ndaj grave në internet. Hulumtimi rezultoi në disa arrestime dhe nxiti reagim të gjerë institucional e shoqëror.
Vendi i dytë shkoi për Besian Beha të Nacionale, për raportimin që zbuloi tendencat për politizimin e hetimeve për korrupsion dhe ndërhyrjet në sistemin e zbatimit të ligjit.
Vendi i tretë u nda në dy çmime të ndara:
Sandra Cvetkoviq dhe Doruntina Baliu nga Radio Evropa e Lirë, për trajtimin e sfidave të kthimit të pronave të uzurpuara.
Saranda Ramaj nga Koha.net, për investigimin mbi shkëmbimet e paligjshme të pronave që kërcënojnë interesin publik.
Fituesit Rajonalë
Çmimi i parë rajonal iu dha Maja Jovanovska dhe Bojan Stojanovski (IRL, Maqedonia e Veriut), për zbulimin e një skandali shumë-milionësh në prokurimet publike në sektorin energjetik.
Çmimi i dytë u fitua nga Xhorxhina Bami (Reporter.al), për investigimin që ekspozoi mizogjininë e përhapur në internet dhe përgjigjen e pamjaftueshme institucionale në mbarë Ballkanin.
Çmimi i tretë iu nda Saša Dragojlo (BIRN Serbia), për hetimin e dërgesave të fshehta të armëve nga Serbia në Izrael gjatë konfliktit në Gaza.
Këto histori, të mbështetura në fakte dhe guxim profesional, dëshmojnë forcën dhe rolin jetik të gazetarisë hulumtuese në ekspozimin e shkeljeve, forcimin e transparencës dhe mbajtjen përgjegjëse të institucioneve dhe aktorëve të pushtetit. Fituesit e këtij viti vazhdojnë të jenë shembull se si puna e përkushtuar gazetareske kontribuon në një shoqëri më të drejtë e më të informuar.
Nëpërmjet këtij çmimi, Bashkimi Evropian thekson edhe një herë mbështetjen e tij për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në mbarë rajonin.























