Haradinaj: Nëntori, muaji i shenjtë i lirisë dhe sakrificës shqiptare
BKT
Lajme

Haradinaj: Nëntori, muaji i shenjtë i lirisë dhe sakrificës shqiptare

Sh.Ç|RTKlive

Në prag të përvjetorëve të rëndësishëm historikë të nëntorit, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka rikujtuar sakrificat e heronjve dhe dëshmorëve të kombit, duke theksuar se ky muaj mbetet i shenjtë për shqiptarët. Në vizitën e tij në Prekaz, ai nënvizoi rëndësinë e trashëgimisë së UÇK-së dhe të figurave ikonike si Adem Jashari e Isa Boletini, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të jenë udhërrëfyes për ruajtjen e lirisë, identitetit dhe aspiratave euroatlantike të Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar se nëntori është muaji i shenjtë për të gjithë ne shqiptarët.

"Në muajin e Pavarësisë, ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, dhe daljes publike të UÇK-së, ishim në Prekaz bashkë për të nderuar veprën dhe sakrificën sublime të heronjëve dhe dëshmorëve të gjithë bijave dhe bijve të kombit që u bënë themeli i shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, më shumë se kurrë, vizita jonë ka edhe një mesazh zotimi dhe betimi që ne jemi vazhdimësia e të qenurit garant dhe mbrojtës të lirisë dhe pavarësisë tonë. Ne, bashkë me partnerët tanë, e kemi fituar luftën dhe bashkë me ta do ta bëjmë Kosovën euroatlantike dhe të zhvilluar", ka shkruar ai në Facebook.

Poashtu, përmes një postimi në Facebook, ai thotë se Isa Boletini mbetet frymëzim për secilin shqiptar, për ta dashur e mbrojtur lirinë, për ta ruajtur identitetin dhe për t’u përkushtuar ndaj të drejtave tona kombëtare, ashtu siç ai bëri me guxim dhe vendosmëri të pashoq.

“Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”, ishte thënia që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve, të cilëve për dekada u ishte mohuar padrejtësisht liria dhe identiteti”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme