RTK së shpejti me emisionin e ri “Master Service Shef”
Sh.G|RTKlive
Në programin “Për mëngjesi Koosvë” sot u prezantua emisioni më i ri që do të nisë së shpejti në Radio Televizionin Publik të Kosovës, i cili mban titullin “Master Service Shef”.
Ky projekt vjen si bashkëpunim mes autorit Agim Kita, një emër i njohur për krijimtarinë dhe origjinalitetin e tij, dhe producentit Visar Demolli, i njohur për profesionalizmin dhe projektet cilësore në fushën e televizionit.
Autori i emisionit, Agim Kita, shpjegoi konceptin e projektit duke thënë:
“Ky projekt ka të bëjë me shfaqjen e shefave të kuzhinës ku ata do të shfaqen në ekran dhe do ta bëjnë një garë aty brenda njeri me tjetrin. Ky do të jetë një projekt argëtues dhe edukativ, ka të bëjë pra me garimin e shefave, me senzibilizimin e popullatës, edukimin në aspektin e bolltonit, në aspektin e sjelljes pra në aspektin protokollar. Ky projekt nuk është projekt që ka ekzistuar dikur sepse këtë e kanë keqkuptuar, është ide unike dhe nëse dikush dëshiron ta bëjë të njëjtën në botë ata duhet ta marrin patentën nga Kosova”, tha ai.
Ndërsa producenti i programit, Visar Demolli, shpjegoi rrjedhën e emisionit:
“Shefat e kuzhinës do të garojnë dhe do të vlerësohen përmes jurisë direkt. Do të ketë edhe mysafirë të cilët, me Kitën, do t’i diskutojnë shijet e ushqimeve. Çka duhet të cekt këtu është që do ta kemi edhe bandin tonë për muzikë aty. Po e theksoj, nuk ka pasë kësi emisioni jo vetëm në Kosovë, po as në rajon”, tha Demolli.
Emisioni pritet të sjellë një format të ri argëtues e edukativ në ekranin publik, duke kombinuar garën, kulinarinë dhe protokollin në një koncept origjinal nga Kosova.























