PZAP kundër KQZ-së, nuk lejon votimin jashtë misioneve diplomatike
BKT
Lajme

PZAP kundër KQZ-së, nuk lejon votimin jashtë misioneve diplomatike

RTKLIve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e LDK-së dhe ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ndaluar hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas PZAP, vendimi i KQZ-së për të hapur qendra votimi në lokacione të tjera jashtë ambasadave është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore.

PZAP thekson se ligji e përcakton qartë që votimi fizik jashtë Kosovës mund të zhvillohet vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre të përshtatura. Hapja e qendrave jashtë tyre nuk përmendet si alternativë ligjore. Kjo, sipas PZAP-sëit, është një masë për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor dhe të votës.

Në vendimin e PZAP-it thuhet se KQZ nuk ka respektuar dispozitat ligjore, sidomos nenin 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 2 të Rregullores 05/2024 që rregullon themelimin e qendrave të votimit. Paneli vlerëson se argumentet e KQZ-së për nevojën e shmangies së vonesave në procesin e regjistrimit të votuesve janë të pabazuara.

Po ashtu, PZAP thekson se ligji nuk lejon asnjë alternativë tjetër për vendndodhjen e qendrave të votimit jashtë Kosovës, përveç përfaqësive diplomatike. Ndërkohë, fleksibiliteti për hapjen e qendrave alternative ekziston vetëm brenda Kosovës, jo jashtë saj.

Me këtë vendim, PZAP ka anuluar pjesërisht vendimin e KQZ-së të datës 26 nëntor 2025, duke përcaktuar që për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 qendrat e votimit jashtë vendit të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike.

KQZ kishte planifikuar të hapte edhe 10 qendra shtesë jashtë ambasadave (5 në Gjermani, 3 në Zvicër, 1 në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1 në SHBA), me 43 vendvotime gjithsej, për deri në 40,850 votues të mundshëm.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagoi kundër vendimit të KQZ-së, duke e cilësuar hapjen e qendrave jashtë ambasadave si shkelje të ligjit dhe rrezik për integritetin zgjedhor.


MË SHUME NGA Lajme