Drejtuesit e UP-së në Grac për bashkëpunim akademik
BKT
Lajme

Drejtuesit e UP-së në Grac për bashkëpunim akademik

V.S|RTKlive

Tre muaj më parë vunë nënshkrimet në memorandumin e bashkëpunimit me Universitetin Mjekësor të Gracit në Austri, Arben Hajrullahu si rektor i Universitetit të Prishtinës e Rifat Latifi si drejtues i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës.

Tre muaj pas, ata në Grac në vizitën e parë pas nënshkrimit të memorandumit, Hajrullahu e Latifi me rektoren e Universitetit Mjekësor të Gracit, Andrea Kurz dhe drejtorin e Departamentit të Kirurgjisë Lars-Peter Kamolz, biseduan për planin e zhvillimit dhe mbështetjes për konsolidimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të QKSTK-së në UP nga ky institucion prestigjioz i arsimit të lartë austriak.

“Sipas memorandumit, mes këtyre partnerëve universitarë e shkencorë do të ketë bashkëpunim akademik në fushat e trajtimit, kërkimit, zhvillimit të kurrikulës, arsimit të vazhdueshëm pasuniversitar, sigurimit të cilësisë, zhvillimit institucional, shpërndarjes së informatave dhe shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe personelit”, thotë UP-ja.

Delegacioni nga UP-ja dhe nikoqirët në Grac gjatë këtij takimi thuhet se janë dakorduar për thellimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimeve të ndërsjella.

“Planet e bashkëpunimit përfshijnë sigurimin e fondeve për renovimin e QKSTK-së, programe të përbashkëta trajnimi, projekte bashkëpunimi e shkëmbimesh të ndërsjella, transferim njohurish dhe bashkëpunim të ngushtë në përgjithësi. Qëllimi madhor është zhvillimi i qëndrueshëm i strukturave moderne të trajnimit dhe kërkimit kirurgjikal në Kosovë e përtej”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP u themelua në korrik të këtij viti.


MË SHUME NGA Lajme