RTK Prime: Gjuha e urrejtjes kërcënim për institucionet dhe ekonominë
BKT
Lajme

RTK Prime: Gjuha e urrejtjes kërcënim për institucionet dhe ekonominë

M.P. / RTKlive

Zgjedhjet e përsëritura si shteg mundësie për kolaps financiar e politik si dhe gjuha e urrejtjes që ka shoqëruar skenën politike vendore tash e disa kohë , janë kritikuar nga analistët e RTK Prime në episodin e së martës mbrëma.

Analisti Melazim Koci ka paralajmëruar kolaps financiar e politik, në rast të mos formimit të institucioneve të një legjislature të re pas zgjedhjeve të dhjetorit.

“Nëse institucionet e Kosovës nuk themelohen deri në mars, Kosova mbetet pa buxhet, pa paga dhe pagesa për shërbime tjera, pa Gjykatë Kushtetuese funksionale...pa presidente dhe kryeministër me kompetenca të plota...Prandaj e konsideroj çështje mbi çështje, prioritet mbi prioritete së paku të hiqet gjuha e urrejtjes dhe mundësia e zvarritjes së formimit të institucioneve të shkoj në minimum”, ka thënë ai.

Sadik Zeqiri në anën tjetër vlerësoi se gjuha e ashpër politike ka bërë që të ketë ‘reprizë’ të zgjedhjeve.

“Nga kjo gjuhë e ashpër e të gjithë kandidatëve,përjashtuar një ose dy, na ka sjellë deri këtu ku s’kemi institucione dhe te përsëritja e zgjedhjeve. Sot s’kemi pasur fare nevojë të flasim për zgjedhjet e dhjetorit, por të flasim çka do të ndodh me zgjedhjen e presidentit, por gjuha e ashpër,e pa matur na ka bërë të jemi në këtë situatë”, tha ai.

 “Partitë politike kanë marrë si kurrë më parë seriozisht çështjen e premtimeve të listuara...Pas një rrëmuje populliste që përmbyset, popullizmi nuk qëndron gjatë, mund të formojë një balon por pastaj bie. Mandej fiton teknokrati më i mirë, ai që shkon me politika të qarta, të matshme dhe të realizueshme”, tha profesori universitar, Dorajet Imeri.

Fatime Hajdari ka thënë se sipas saj, rënia e polarizimit politik ka bërë që votuesit të vetëdijesohen dhe si e tillë partitë të kenë program më të qëndrueshëm si ofertë për ta.


MË SHUME NGA Lajme