Prokuroria Speciale: Shtatë personat e arrestuar ndalohen për 48 orë
BKT
Foto arkiv| ilustrim
Lajme

Prokuroria Speciale: Shtatë personat e arrestuar ndalohen për 48 orë

E.H &A.B| RTKLive

(E plotësuar, ora 22:45) Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se aksioni i sotëm është realizuar me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale.

Prokuroria Speciale, njofton se të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave dhe se me vendim të Prokurorisë Speciale shtatë personat janë ndaluar për 48 orë.

"Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit mashtrim dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore", njofton PSRK.

Prokuroria Speciale, bën me dije se gjatë kontrollit janë sekuestruar:  rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektronike.

"Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës", njofton PSRK.

Policia konfirmon se disa zyrtarë janë shoqëruar për intervistim

( E plotësuar, ora 22:20) Policia e Kosovës, ka konfirmuar se në bashkëpunim dhe koordinim me AKI-në dhe urdhër të PSRK-së, ka realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme.

"Lidhur me rastin i cili po trajtohet nga DHKEK-ja, në bashkëpunim me akterët e tjerë, janë shoqëruar për intervistim disa persona. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë", thuhet në njoftim të Policisë.

Arrestohen disa zyrtarë të lartë publikë nën dyshimin për korrupsion

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është finalizuar me sukses operacioni kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.

"Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private", ka shkruar ai në "Facebook".

Sipas tij, në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

"Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike", tha ai.

Ai ka shtuar se koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar.

"Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë", shkroi ai.

 


MË SHUME NGA Lajme