Elia Zaharia paraqet librin e ri për fëmijë ‘Perla dhe dreri i artë’
BKT
Kulturë

Elia Zaharia paraqet librin e ri për fëmijë ‘Perla dhe dreri i artë’

K. K. / RTKlive

Autorja Elia Zaharia ka prezantuar librin e saj më të ri për fëmijë, “Perla dhe dreri i artë”, duke theksuar se bëhet fjalë për një përrallë të plotë dhe krijimin e saj të dytë në këtë zhanër. Ajo u shpreh se në të dy librat e saj ka synuar të sjellë një pjesë të historisë, traditës dhe kulturës shqiptare, si një dhuratë e bukur jo vetëm për fëmijët që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ata që jetojnë jashtë vendit dhe janë përmalluar për atdheun.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Zaharia tregoi se libri për fëmijë është një mision i veçantë për çdo autor që vendos të shkruajë për këtë moshë. Sipas saj, përveç anës argëtuese, librat për fëmijë mbartin edhe një rol të rëndësishëm edukativ dhe përcjellin mesazhe me vlerë.

“Kur shkruan për fëmijë, nuk prek vetëm fëmijën, por edhe prindin, gjyshin, të gjithë familjen. Përralla është pjesë e edukatës sonë dhe e rritjes. Ajo ndikon shumë: ose fiton një lexues që në fëmijëri, ose e humb përgjithmonë”, theksoi autorja.

Me “Perla dhe dreri i artë”, Elia Zaharia rikthehet për herë të dytë për të ndarë me lexuesit botën magjike të tregimeve për fëmijë. Libri vjen pas suksesit të veprës së saj të parë, “Trëndafili i bardhë”, botuar në vitin 2019, e cila u bë bestseller dhe u publikua edhe nga shtëpia prestigjioze botuese Feltrinelli në Itali.


MË SHUME NGA Kulturë