Filharmonia e Kosovës përmbyll vitin me koncertin e Vitit të Ri
B.H./RTKlive
Filharmonia e Kosovës e ka përmbyllur vitin me një mbrëmje festive, më saktësisht me koncertin e Vitit të Ri, duke sjellë para publikut një program të pasur dhe të larmishëm të muzikës klasike evropiane.
Nën dirigjimin e maestros Dario Salvi, orkestra dhe kori i Filharmonisë interpretuan vepra të njohura nga Johann Strauss II, Josef Strauss, Leroy Anderson, Peter Hertel, Jacques Offenbach, Franz Schubert, Giuseppe Verdi, Émile Waldteufel dhe Carl Michael Ziehrer, duke krijuar një atmosferë festive dhe elegante.
Solistja e mbrëmjes ishte violinistja Clara Saitkoulov, e cila u prit me ovacione nga publiku për interpretimin e veprës “Tzigane” nga Maurice Ravel. Ajo u rikthye në skenë edhe për bis, ku solli veprën “Melody” nga Myroslav Skoryk.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, vlerësoi lart punën dhe arritjet e Filharmonisë së Kosovës gjatë vitit që po mbyllet. Ai theksoi se ky ishte një vit i jashtëzakonshëm, me shumë koncerte brenda vendit dhe paraqitje të suksesshme në skena ndërkombëtare.
“Filharmonia e Kosovës mbetet një nga shtyllat më të forta të jetës sonë kulturore”, u shpreh Çeku në një postim në Facebook, duke falënderuar instrumentistët, koristët, dirigjentët, solistët, stafin profesional, drejtorin dhe Këshillin Drejtues për përkushtimin e treguar gjatë gjithë vitit.
Ndërkohë, Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se koncerti i parë i vitit 2026 do të mbahet më 23 janar, nga ora 19:30, me dirigjentin italian Marco Crispon dhe solisten franceze Iris Daveiro në flaut.



























