Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt shtyhet më 29 janar
BKT
Foto: Hana Marteti
Lajme

Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt shtyhet më 29 janar

RTK

(E përditësuar) Pas shfaqjes së video-incizimeve nga Prokuroria, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim për shtyerjen e seancës për 29 janar, në rastin e gjykimit të Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt.

M.P. / RTKlive

Shtyrja qe kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarve.

Video-incizimet e shfaqura gjatë seancës së sotme dokumentojnë moment pas momenti komunikimet e Granit Plavës e Naim Murselit, duke filluar nga takimet në pompë derivatesh, për të vazhduar me qëndrimin në të njëjtin restaurant në mënyrë të ndarë, Murseli me viktimën Liridona Ademajn e fëmijët dhe Plava që ulet në pjesën e kundërt të tyre.

Një çështje tjetër e shtruar  ishte qëndrimi i përbashkët i tyre në një hotel, teksa prokurorja e rastit Pelinçeviq tha se të akuzuarit e kanë pranuar se atë natë kanë qëndruar në hotel, e që ky është fakt i pakontestueshëm.

Më pas, trupi gjykues mori vendim me të cilin refuzoi propozimin e palës së dëmtuar që të shikohen pamjet brenda hotelit, duke thënë se është sqaruar mjaftueshëm nga fotografitë e administruara. Tha se kjo vërtetohet edhe nga dëshmitarët Valon Lluka dhe Leonard Ademaj, dhe se nuk kontestohet as nga vetë Kokalla.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj janë të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Sipas Institutit të Psikiatrisë Forenzike dhe ekspertëve gjyqësorë, Murseli dhe Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore. Në seancën fillestare, Murseli u deklarua i pafajshëm, Plava dhe Kokalla nuk u deklaruan, ndërsa Dodaj pranoi fajësinë dhe u dënua me 5 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë. Aktakuza e rastit u ngrit më 15 janar 2025.

Rasti i Ademajt, prokuroria nis shfaqjen e video-incizimeve të vrasjes

Hana Marteti|RTK

Prokuroria ka nisur me shfaqjen e video – incizimeve të rastit së vrasjes së Liridona Ademajt, para të dyshuarve Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Tre të akuzuarit janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie dhe me duar të lidhura, ndërkaq videot i takojnë ditës kur është vrarë Ademaj.

Prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq ka deklaruar se pamjet fillestare janë nga shtëpia e të akuzuarit Naim Murseli teksa del nga shtëpia dhe shkon e takohet në një pompë të derivateve me Granit Plavën në fshatin Cermjan.

Pamjet dokumentojnë se ata bisedojnë, pasi dalin të dy nga veturat e tyre. Videot e tjera të shfaqura tregojnë momentin e mbërritjes së viktimës Ademaj në shtëpinë e saj në Bërnicë.

Sot seancë ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Sh.Ç|RTKlive

Në orën 09:30 mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca është planifikuar të filloi në orën 09:30. Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë.

Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk u deklarua, ndërsa Kushtrim Kokalla tha se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. Fajtor u deklarua Tom Dodaj, i cili u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, raporton RTKlive.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 janar 2025, ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin dakorduar që vrasja të kryhej nga Plava, me marrëveshje që Murseli t’i paguante 30 mijë euro.


MË SHUME NGA Lajme