Lexim skenik për dramat fituese të konkursit ‘Katarina Josipi 2025’
E.Hoti|RTKlive
Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) do të organizojë një lexim skenik të tri dramave fituese të Konkursit për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” 2025 .
Veprat fituese që do të prezantohen janë “Lufta”, “Pse ke frikë” dhe “Kurora”. Leximi skenik do të mbahet nga ora 17:00 deri në ora 19:00 më 26 dhjetor në një mbrëmje të hapur për publikun, e dedikuar për të gjithë të interesuarit në dramaturgjinë shqipe, leximin dhe diskutimin artistik.
TKK-ja thotë se ky aktivitet synon të krijojë hapësirë dialogu mbi tekstin dramatik, temat bashkëkohore që na prekin sot, si dhe zhvillimin e dramaturgjisë shqipe moderne.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka ftuar publikun që të jetë pjesë e kësaj mbrëmjeje kulturore dhe diskutimi.
Aktori Astrit Kabashi ka marrë dy çmimet kryesore të konkursit vjetor për dramën origjinale shqipe, “Katarina Josipi”, për vitin 2025, që ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Çmimin e parë e ka marrë për dramën “Lufta”, ndërsa Çmimin e dytë për dramën “Pse ke frikë”.Kurse Çmimin e tretë e mori Florent Kurtalani për dramën “Kurora”.























