Të dhënat e fundit nga KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje 45 %
BKT
Lajme

Të dhënat e fundit nga KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje 45 %

M.Sh/V.S|RTKlive

(E plotësuar 20:00) Sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 20:00 kanë votuar gjithsej 899,565 qytetarë, që përfaqëson 45.% të trupit votues.

Procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa probleme të theksuara, duke garantuar një mbarëvajtje normale të votimit.

Radoniqi pas problemeve me energjinë: Integriteti i votës nuk do të cenohet

Të tjera probleme me energjinë elektrike ka bërë të ditura kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në disa komuna të tjera, por që tha se problemet u evituan shpejt.

“Sipas raportit të orës 15:00 në Dhomën Operative të KQZ-së, janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri Qendra Votimi në komunën e Skenderajt, 2 në komunën e Malishevës dhe dy të tjera në Novobërd e Obiliq, për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për të ndërmarrë hapa të nevojshme për rikthimin e energjisë elektrike dhe sipas informacioneve, kjo ka ndodhur brenda një kohe shumë të shpejt”.

Radoniqi tha se shpreson që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike kur fillion të bie terri.

I pyetur çka  ndodhë në një Qendër Votimi kur ndërpritet energjia elektrike, ai tha se procesi vazhdon. “Procesi i votimit nuk do të ndërpritet, ne do të sigurohemi që nuk do t’i lëmë në terr të votojnë, por procesi i votimit nuk mund të ndërpritet”, tha Radoniqi.

Ai tha se i shqetëson çdo veprim që mund të cenojë procesin, porse tha se do të punojnë që integriteti i votës të mos cenohet.

Radoniqi tha se bazuar në të dhënat preliminare që kanë marrë nga rreth 96 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15: 00 tha se është 572 mijë e 726 votues, apo 28,65 për qind.

Krahasuar me të njëjtën orë me zgjedhjet e shkurtit, kishin votuar 28,82 për qind.

KQZ me të dhëna të reja, mbi gjysmë milioni votuan deri në ora 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje deri në ora 15:00. Nga mbi 97 për qind e vendvotimeve të procesuara,  pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit deri në këtë orë ka arritur në mbi  28 për qind.

Sipas këtyre të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, mbi 550 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës deri në ora 15:00.

Sipas Listës së Votuesve të certifikuar nga KQZ-ja në Kosovë të drejt vote kanë 1 milion e 999 mijë  e 204 qytetarë.

Statistikat e pjesëmarrjes në votime në këtë platformë pritet të përditësohen në edhe në orën 17:00 e 19:00 kur do të jetë përditësimi i fundit.

Në këtë platformë sqarohet se këto janë të  dhënat nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Në KQZ besojnë që para orës 20:00 do të fillojnë transmetimin e të dhënave nga vendvotimet e para, që deri atëherë të kenë përfunduar numërimin e fletëvotimeve.

 

KQZ me të dhëna të reja, deri në ora 13:00 votuan mbi 363 mijë qytetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje deri në ora 13:00.

Nga mbi 96 për qind e vendvotimeve të procesuara, pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit deri në këtë orë ka arritur në mbi 18 për qind,që do të thotë se mbi 363 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.

Sipas Listës së Votuesve të certifikuar nga KQZ-ja në Kosovë të drejt vote kanë 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

Statistikat e pjesëmarrjes në votime në këtë platformë pritet të përditësohen në edhe në orën 15:00, 17:00 e 19:00 kur do të jetë përditësimi i fundit.

Në këtë platformë sqarohet se këto janë të  dhënat nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Besohet se para orës 20:00, KQZ do të fillojnë transmetimin e të dhënave nga vendvotimet e para, që deri atëherë të kenë përfunduar numërimin e fletëvotimeve.

Radoniqi: Në gjashtë komuna pati probleme me energjinë|Video

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se në gjashtë Qendra të Votimit që i takojnë gjashtë komunave të Kosovës ka pasur probleme me energjinë elektrike.

“Sipas raportit të orës 11:00 në Dhomën Operative të KQZ-së janë raportuar problemet me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë Qendra Votimi  që i takojnë gjashtë komunave, Istog, Ferizaj, Viti,  Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet Komune të Zgjedhjeve kanë njoftuar KEDS-in”, ka treguar Radoniqi që tha se pas raportimit këto çështje janë zgjidhur.

Megjithatë ai nuk e mohoi mundësinë që gjatë ditës të ketë sërish probleme të tilla.

“A presim që do të ketë prapë probleme me energji? është e mundshme, e kemi alarmuar këtë çështje ditë më parë, por që zyrtarët e KEDS-it janë në terren dhe janë në komunikim të vazhdueshëm më KQZ për çdo veprim, do të reagojnë”, tha Radoniqi.

Ai gjithashtu tha se kanë pranuar njoftim nga Rahoveci ku në Qendra të Votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra, kjo, sipas tij, ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit.

Ndërkohë, Radoniqi tha se duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kanë marrë nga 84 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 165 mijë e 404 apo 8,27 për qind nga numri total i votuesve.

Ai tha se krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit deri në këtë kohë kishin votuar 8. 58 për qind. 

 


MË SHUME NGA Lajme